Trioja italiane “Chimera” me koncert të plotë në “Vera e Ohrit”

Trioja italiane “Chimera” me koncert të plotë në “Vera e Ohrit”

Programi muzikor i festivalit “Vera e Ohrit” vazhdon sonte me koncertin e trios “Chimera” nga Italia, i cili do të mbahet në kishën “Shën Sofia” me fillim në ora 21:00.

 

Trioja përbëhet nga pianistja Marta Ceretta, violinisti Stefano Raccagni dhe violonçelisti Giorgio Lucchini. “Chimera” është formuar nën mentorimin e Patrick Jüdt në Shkollën e Lartë të Arteve në Bernë, ndërsa anëtarët e saj kanë përfunduar studimet master për muzikë kamertale në vitin 2023.

 

Në Itali ata studiojnë me Kuartetin “Cremona” në Qendrën për Instrumente Harkore “Stauffer”, ndërsa studimet pasuniversitare i përfundojnë në Konservatorin “A. Boito” në Parma, nën mentorimin profesional të Kuartetit “Parma”.

 

Frymëzim dhe përvojë marrin nga bashkëpunimi me Mischa Maisky, Amiram Ganz nga Trioja “Altenberg”, Antonio Meneses dhe Eckart Runge, anëtar i Kuartetit “Artemis”.

 

Trioja është anëtare zyrtare e Akademisë Evropiane të Muzikës Kamertale. Në vitin 2022 fitoi çmimin “Ansambli më i mirë italian” në konkursin e muzikës kamertale “Filippo Nicosia”. Në vitet 2023 dhe 2024 fitoi çmime të dyta dhe çmime për interpretimin më të mirë të një vepre bashkëkohore në konkursin “Luigi Nono”, si dhe çmimin e parë në konkursin e Lancasterit. Në vitin 2025 u kurorëzua me çmimin e parë në konkursin e Busanit, në Korenë e Jugut, dhe në konkursin “Alberto Burri” në Castello.

Accessibility Menu