„Flora-Fauna-Çati/Pirh-Lajrer-Pirh“ – ekspozitë e artistëve bashkëkohorë austriakë

„Flora-Fauna-Çati/Pirh-Lajrer-Pirh“ – ekspozitë e artistëve bashkëkohorë austriakë

Në Çifte Hamam sonte do të hapet solemnisht ekspozita e artistëve bashkëkohorë austriakë „Flora-Fauna-Çati/Pirh-Lajrer-Pirh“, në organizim të Galerisë Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ambasadës së Republikës së Austrisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në ekspozitë do të prezantohet piktura bashkëkohore austriake e frymëzuar nga peizazhe, motive urbane, flora dhe fauna.

 

Në hapjen e ekspozitës do të flasë drejtori i Galerisë Kombëtare, Ali Sinani, i cili do të ndalet tek bashkëpunimi i Galerisë Kombëtare dhe ambasadës austriake në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Më pas, për krijimtarinë dhe frymëzimet do të flasë artisti Haro Pirh ose kuratori Gerhard Altman. Fjalime do të mbajnë edhe ministri i kulturës dhe turizmit Zoran Ljutkov, si dhe N.E. Martin Pamer, ambasador i Republikës së Austrisë në Maqedoninë e Veriut.

 

Në ekspozitë do të prezantohen vepra nga artistët austriakë Haro Pirh, Konstance Pirh dhe Manfred Lajrer, veprat e të cilëve ofrojnë një perspektivë bashkëkohore ndaj natyrës, botës së kafshëve dhe hapësirës që na rrethon. Ekspozita i bashkon tre vizione të ndryshme, por të ndërlidhura artistike të autorëve, të cilët prej vitesh janë pjesë e traditës artistike të Javëve të Pikturës në Rabnicthal – në krahinën Burgenland, Austri.

Accessibility Menu