Edicioni dimëror i Rrjetit të Festivaleve të Rajonit të Adriatikut do të mbahet nga 22 janari deri më 5 shkurt, me ç ‘rast publiku në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Kroaci, Slloveni dhe në Maqedoninë e Veriut do të ketë mundësinë të shohë falas një përzgjedhje të filmave rajonalë të shpërblyer – në kinema dhe online.
Publiku i vendeve anëtare të Rrjetit do të ketë mundësinë të shohë gjashtë filma rajonalë të shpërblyer: “Terapia familjare” nga Sonja Prosenc, “Fiume o morte!” nga Igor Bezinoviq, “After the Summer” nga Danis Tanoviq, “Nëna Mara” nga Mirjana Karanoviq, “Të gjallë e të shëndetshëm” nga Ivan Marinoviq dhe “Planeta 7693” nga Gojko Bekuljan.
Programi nis më 22 janar me projeksione falas në kinema në Beograd, Sarajevë, Zagreb, Lubjanë, Herceg Novi dhe Shkup, ndërsa të gjithë filmat do të jenë të qasshëm online nga 23 janari përmes platformës ondemand.kinomeetingpoint.ba.
Edicioni dimëror realizohet si projekt i përbashkët i festivaleve kryesore të filmit në rajon: Festivali i Filmit të Beogradit, Festivali i Filmit të Sarajevës, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Lubjanë, Festivali i Filmit të Zagrebit, Festivali i Filmit në Herceg Novit dhe Festivali “Vëllezërit Manaki” nga Maqedonia e Veriut. Ky është edicioni i katërt dimëror i Rrjetit të Festivaleve të Rajonit të Adriatikut, i organizuar për rritjen e dukshmërisë, qasjes dhe promovimit të kinematografisë bashkëkohore rajonale cilësore.
Programi i Rrjetit të Festivaleve të Rajonit të Adriatikut realizohet me mbështetje nga nënprogrami “MEDIA” i programit “Evropa Kreative”.