Ritme afrikane dhe tinguj botërorë në hapjen e edicionit të 25-të të Off-Fest

Ritme afrikane dhe tinguj botërorë në hapjen e edicionit të 25-të të Off-Fest

Me paraqitje të muzikantëve nga Mali, Guinea dhe Afrika e Jugut, sonte (3 qershor) fillon edicioni jubilar i 25-të i Off-Fest, i cili do të zgjasë deri më 6 qershor. Tri netët e para të festivalit do të mbahen në Operën dhe Baletin Kombëtar, ndërsa programi përmbyllës është paraparë në Qendrën Kulturore Rinore.

 

Në edicionin e sivjetshëm do të performojnë artistë nga Mali, Guinea, Afrika e Jugut, Norvegjia, Spanja, Italia, Benini, Kongo, Mozambiku dhe Tanzania, ndërsa skenën maqedonase do ta përfaqësojë dueti “Dobrilla dhe Dorian”.

 

Festivali do të hapet në ora 20:00 me trion “Guitare Baro”, të përbërë nga muzikantë nga Mali dhe Guinea. Krahas dy kitarave, rol të rëndësishëm në tingullin e tyre ka edhe mjeshtri i balafonit, Lasana Diabate.

 

“Me vetëm tre instrumente – dy kitara dhe një balafon – ata krijojnë një botë të pasur muzikore të mbushur me rrëfime dhe tradita të griotëve të Afrikës Perëndimore, ruajtës të historisë dhe trashëgimisë gojore”, thonë organizatorët e Off-Fest.

 

Në ora 22:00 në skenë do të paraqitet grupi jugoafrikan “BCUC”, i njohur për kombinimin energjik të psikodelisë, hip-hopit dhe punk-rockut. Grupi rikthehet në Off-Fest pas dy vitesh, këtë herë me promovimin e albumit të tij të pestë në studio.

Accessibility Menu