“Skenë për ëndrrën e secilit” – Hapet Festivali i 4-t Ndërkombëtar i Teatrove për Fëmijë “Igor Maxhirov” në Shkup

“Skenë për ëndrrën e secilit” – Hapet Festivali i 4-t Ndërkombëtar i Teatrove për Fëmijë “Igor Maxhirov” në Shkup

Nën sloganin “Skenë për ëndrrën e secilit”, mbrëmë në Teatrin për Fëmijë dhe të Rinj – Shkup u hap solemnisht edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove për Fëmijë “Igor Maxhirov”, i cili do të zhvillohet nga 15 deri më 18 tetor në Shkup.

 

Festivali, i organizuar nga Teatri për Fëmijë dhe të Rinj, këtë vit e vendos fokusin te të rinjtë – te ata që kërkojnë përgjigje, te botët e tyre, dilemat e tyre, shpresat e tyre. Shfaqjet që do të interpretohen nuk i rrëfejnë të rinjtë, por janë për ta – për mënyrën se si rriten, ndryshojnë, luftojnë dhe ëndërrojnë.

 

Në hapjen solemne, fjalë përshëndetëse mbajti ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov.

 

“Të luash për fëmijë dhe të rinj është dhuratë. T’u flasësh përmes teatrit me gjuhën e tyre, t’u përgjigjesh pyetjeve dhe ëndrrave të tyre – kjo është guxim. Pikërisht kjo skenë sjell më të pastërtën, më të thellën dhe më të rëndësishmen në teatër: sinqeritetin e fëmijëve, guximin e rinisë dhe fuqinë e ëndrrës. Festivali është mënyra për t’u drejtuar të rinjve dhe për t’u thënë: ju kushtojmë skenën. Ju jeni frymëzimi ynë”, tha Lutkov.

 

Ai kujtoi edhe rëndësinë e Igor Maxhirovit – aktorit dhe vizionarit, emrin e të cilit mban festivali.

 

“Igori ishte dhe do të mbetet fëmija i përjetshëm në botën e teatrit. Në nder të tij, ky festival dhe çdo shfaqje është kujtim dhe vazhdimësi”, shtoi Lutkov.

 

Festivali këtë vit do të ofrojë program të pasur me shfaqje nga vendi dhe jashtë, ndërsa në skenën e Teatrit për Fëmijë dhe të Rinj do të kremtohet fryma rinore, imagjinata dhe arti si hapësirë për dialog me gjeneratat e reja.

 

Ndryshe, në hapje u shfaq drama Frankenstein” e Kokan Mlladenoviqit, një shfaqje që javën e kaluar fitoi çmimin e publikut në programin e dedikuar për adoleshentë “Mali MESS”, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit MESS, edicioni i 65-të në Sarajevë.

Accessibility Menu