Audiencë e madhe ndoqi shfaqjen teatrale “Portokalli i kaltër”, interpretuar nga Teatri i Velesit, me të cilën dje në mbrëmje në Qendrën e Kulturës “Trajko Prokopiev” në Kumanovë u hap Festivali Ndërkombëtar i Teatrit, “Ditët e Komedisë”.
Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska në hapjen zyrtare të Festivalit, i cili këtë vit shënon 26 vjet nga themelimi, iu drejtua dashamirësve të komedisë dhe tha: “Nga ideja e krijuesve deri te arritjet e ndjekësve të tyre, për këtë është investuar shumë dashuri dhe përkushtim për t’u shndërruar në një nga festivalet më të njohura në vend dhe për të qenë ende i njohur dhe unik”.
“Me çdo shfaqje, historia e festivalit shtohej dhe kjo ishte mundësi e shkëlqyer për dashamirët e artit teatror, që përmes një prej zhanreve më specifike – komedisë, të ushqejnë dhe zhvillojnë kulturën teatrore që është kthyer në traditë. Pikërisht këtu, në qytetin e kryeveprës së përjetshme “I arratisuri” nga Vasill Iljoski dhe Lençe Kumanovçe, të cilët janë sinonim dhe tipar i dallueshëm i Kumanovës”, tha Kostadinovska-Stojçevska.
Ministria e Kulturës mbetet partner dhe përkrahës tradicional i këtij festivali, i cili me jetëgjatësinë e tij jep kontribut të veçantë në zhvillimin e kulturës dhe jetës kulturore maqedonase. Repertori i edicionit të 26-të të Festivalit përfshin 11 komedi teatrale të interpretuara nga teatri nga Maqedonia dhe teatri nga Serbia, Kroacia dhe Bullgaria. Festivali që nga viti i kaluar ka karakter konkurrues dhe do të konkurrojnë 10 pjesë teatrale.
Laureat i sivjetshëm i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Ditët e Komedisë” është regjisori dhe aktori i shquar maqedonas Kole Angellovski
“Opusi krijues i doajenit të teatrit dhe filmit maqedonas, Kole Angellovski, është e larmishme dhe më vjen veçanërisht mirë që si një nga punëtorët më të shquar të kulturës, i cili gjithë jetën e tij ia kushtoi artit dhe për artin, veçanërisht në fushën e komedisë, sonte do ta marrë mirënjohjen Vasill Iljoski”, tha Kostadinovska-Stojçevska. Ajo shtoi se ai është i përfshirë në klasën e madhështorëve të aktrimit Ilija Strumenikovski, Shenka Kollozova, Stojna Kostovska dhe Bllagoja Çorevski, të cilët në vitet e kaluara kanë qenë laureatë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Ditët e Komedisë”.
Të gjitha shfaqjet e Festivalit do të na konfirmojnë se nuk ka shprehje më të ndershme dhe më të pastër se teatri dhe se teatri është ende vend ku mund të harrosh të gjitha problemet e përditshmërisë. Gjatë viteve, publiku pati mundësinë e mrekullueshme të shikojë 210 shfaqje të interpretuara nga teatro profesionistë të Republikës sonë dhe shtëpi teatrore nga rajoni, dhe kështu Festivali konfirmon suksesin e tij. Festivali ndërkombëtar i teatrit “Ditët e komedisë” fitoi një reputacion të madh dhe u bë tipar dallues i jetës kulturore të Kumanovës. Festivali i cili ka nisur mbrëmë do të zgjasë deri më 14 tetor. Më 15 tetor ndahen çmimet për shfaqjet dhe luhet shfaqje për nder të të shpërblyerve.
Do të jepen çmimet për aktorin, aktoren, skenografinë, regjinë, kostumografinë, rolin dytësor dhe shfaqjen më të mirë.