Me performancën e Elina Duni dhe Sasho Popovski Trio, dje përfundoi edicioni i parë i ngjarjes “The Park Festival” që gjashtë ditët e kaluara u mbajt në Gostivar dhe brenda të cilit dashamirët e muzikës mundën t’i ndjekin shfaqjet e artistëve të njohur të muzikës nga vendi dhe jashtë saj.

Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, i cili mori pjesë në përmbylljen e kësaj ngjarjeje, në fjalimin e tij para të pranishmëve theksoi se festivali me shenjën e tij ndërkombëtare, vizitorët e shumtë dhe energjinë që rrezaton nga skenat e vendosura në lokacione të shumta në qytet janë vetëm një konfirmim për hapjen e perspektivave të reja mbi zhvillimin dhe pasurimin e hapësirës kulturore, jo vetëm në Gostivar, por edhe në vendin tonë.

“Që emrat e njohur të muzikës të jenë mysafirë në festival është konfirmimi më i mirë se në hap ndiqen trendet aktuale që nënkuptojnë vazhdimësi të produksionit cilësor të muzikës dhe energji krijuese intensive që artistët e shkëmbejnë me audiencën. Vizitorët e shumtë dhe energjia e rrezatuar nga skenat e vendosura në lokacione të shumta në qytet, në koncertet që u dedikohen të gjitha grupmoshave dhe shijeve muzikore, janë vetëm një konfirmim i hapjes së perspektivave të reja mbi zhvillimin dhe pasurimin e hapësirës kulturore, jo vetëm në Gostivar, por edhe në vendin tonë”, tha ministri Ismaili.

Ai shtoi se kultura është një segment shumë i rëndësishëm i ekzistencës së çdo kombi dhe shteti, por me rëndësi të veçantë është edhe transparenca e saj ndaj kulturave të tjera. Në këtë kontekst, ai theksoi se Ministria e Kulturës duke njohur vlerat dhe potencialin e vërtetë që në vete e përmbajnë artistët e rinj, entuziazmin dhe përkushtimin e tyre për ndërtimin e urave midis kulturave, pa rezervë e jep mbështetjen e vet për realizimin e ngjarjeve të tilla kulturore.