Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e miratoi informatën lidhur me nivelimin e rrogave të punonjësve në institucionet në fushën e kulturës sipas veprimtarive, në pajtim me të cilën 2899 persona të punësuar në kulturë do të kenë rritje të rrogave, duke filluar nga rroga e muajit prill.

Me nivelimin e rrogave janë përfshirë të gjithë punonjësit në kulturë, përkatësisht punonjësit në institucionet nacionale dhe punonjësit në institucionet lokale në fushën e kulturës.

Me këtë informatë të miratuar në mbledhjen e Qeverisë së RMV-së është konstatuar se Ministria e Kulturës është në fazën e përpilimit të Ligjit të ri për interesin publik në kulturë, i cili do të harmonizohet me ndryshimet e reja të ligjeve në fushën e administratës publike, përkatësisht me Ligjin për nëpunësit administrativë dhe Ligjin për të punësuarit në sektorin publik, dhe pas miratimit të tij do të krijohen kushtet lidhur me harmonizimin e ri të rrogave në kulturë.