Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, sot realizoi takim pune me ambasadorin austriak në vendin tonë, Georg Vucas.

Në takim, u bë fjalë mbi bashkëpunimin e deritanishëm në fushën e kulturës, si dhe mbi aktivitetet e ardhshme nëpërmjet të cilave do të avancohet shkëmbimi kulturor i projekteve dhe artistëve ndërmjet të dyja vendeve.

Ministri Ismaili theksoi se bashkëpunimi me Republikën e Austrisë në fushën e kulturës bëhet nëpërmjet prezantimit të vazhdueshëm të vlerave kulturore maqedonase në këtë vend, si dhe përmes realizimit të projekteve që e përfaqësojnë kulturën austriake në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ismaili informoi se ka një numër të madh të artistëve që prezantohen vazhdimisht në festivalet tona të njohura, siç janë: Mbrëmjet e Operës së Majit, Vera e Ohrit dhe Mbrëmjet Strugane të Poezisë. Njëherazi, u theksua edhe realizimi i Ballit të Vjenës në Shkup, një manifestim i cili e konfirmon bashkëpunimin maqedono-austriak në fushën e kulturës dhe artit.

Në takim, të dy bashkëbiseduesit biseduan edhe mbi mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e kulturës ndërmjet të dyja vendeve, si dhe mbi realizimin e projekteve të shumta midis institucioneve të kulturës në të dyja vendet.