Ministri i Kulturës, Asaf Ademi, sot në Ministrinë e Kulturës mbajti takim me një pjesë të subjekteve, projektet e të cilave për shkak të mangësive formale u refuzuan në konkurset vjetore për projektet me interes nacional në kulturë për vitin 2019.

Në takim, ministri Ademi, përfaqësuesve të një pjese të manifestimeve në kulturë, ua shpjegoi procedurën e shqyrtimit të fletëparaqitjeve dhe shkaqet që sollën të refuzohen fletëparaqitjet e tyre.

Duke pasur parasysh që komisionet për një pjesë të fletëparaqitjeve të refuzuara gjatë revizionit të rezultateve të konkurseve vjetore përcaktuan se bëhet fjalë për projekte të cilat janë me interes nacional në kulturë, ndërsa në pajtim me Ligjin për procedurë të përgjithshme administrative, subjekteve që kanë dorëzuar fletëparaqitje në konkurset vjetore u jepet mundësia në afatin përkatës të dorëzojnë shpjegime plotësuese dhe dokumentacion për fletëparaqitjet të cilat kanë pasur mangësi formale.

Ministria e Kulturës e informon opinionin se procedura për shqyrtimin e fletëparaqitjeve të dorëzuara në konkurset vjetore është në pajtim me Ligjin për kulturë dhe se gjatë vendimmarrjes komisionet nuk kanë pasur presione, por janë udhëhequr sipas normativës së përcaktuar lidhur me konkurset vjetore.

Sipas Ligjit për procedurë të përgjithshme administrative, ministri ka afat deri më 11 mars t’i miratojë vendimet për projektet që janë mbështetur, përkatësisht që janë refuzuar në konkurset vjetore.

Në këtë takim ishin të pranishëm një pjesë e operatorëve në kulturë, ndërsa letra me kërkesë për dorëzimin e shpjegimeve plotësuese dhe dokumentacion për fletëparaqitjet që kanë pasur mangësi formale do të dërgohet te të gjithë

pjesëmarrësit në konkurset vjetore, projektet e të cilëve ishin refuzuar nga shkaqe formale, për të cilat komisionet kanë vlerësuar se janë në funksion të zhvillimit, afirmimit dhe promovimit të kulturës në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe që kanë parakushte të zgjidhen projekte me interes nacional në kulturë për vitin 2019.