Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili njëherazi është edhe organizator, e hapi ekspozitën „100 vjet Trebenishtë“ të vendosur në Muzeun Arkeologjik Nacional të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në këtë ngjarje solemne dhe ekskluzivisht të rëndësishme, e cila realizohet në bashkëpunim me Muzeun Popullor në Beograd dhe Institutin Arkeologjik Nacional dhe Muzeun pranë Akademisë së Shkencave të Bullgarisë në Sofje, ishin të pranishëm edhe ministrat e Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë, Asaf Ademi dhe Boil Banov, ndihmës-ministrja e Kulturës dhe Informimit të Republikës së Serbisë, Asja Draça Muntean, si dhe drejtorët e Muzeut Arkeologjik Nacional të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Goran Sanev, Institutit Arkeologjik Nacional dhe Muzeut në Sofje, Hristo Popov, dhe drejtoresha e Muzeut Popullor në Beograd, Bojana Boriq Breshkoviq, si dhe një numër i madh përfaqësuesish të Qeverisë dhe të Kuvendit të RMV-së, të publikut shkencor dhe kulturor të të tria vendeve, dhe të korit diplomatik në vendin tonë.

Kryeministri Zaev theksoi se kjo ekspozitë është me rëndësi të madhe për shkak të artefakteve ekskluzive që janë prezantuar në të, por edhe për shkak të udhëheqësve dhe kustosëve të të tria institucioneve nga Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Serbia të cilët bënë një hap historik kur u dakorduan se mënyra më e mirë të kremtohet 100-vjetori i zbulimit të artefakteve të para të këtij lokaliteti arkeologjik, është të përgatitet një ekspozitë e përbashkët në të cilën për herë të parë në histori prezantohen të gjitha konstatimet e nekropolit në Trebenishtë.

Ministri i Kulturës i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Asaf Ademi, në fjalimin e tij theksoi se ekspozita „100 vjet Trebenishtë“ është një kurorë e miqësisë ndërmjet të tria vendeve, një akt i cili e konfirmon se pajtimi pikërisht nëpërmjet kulturës arriti në këto hapësira.

„Besoj se qytetarët e të tria vendeve do të kenë mundësi të shohin edhe shumë ngjarje të tjera, siç është kjo tani. Me mbështetjen e ministrive amë të Kulturës, por edhe me mbështetjen nga fondet evropiane, do të realizohen edhe shumë aktivitete të reja nëpërmjet të cilave do ta afirmojmë trashëgiminë e përbashkët kulturore evropiane“, theksoi ministri i Kulturës i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Asaf Ademi.

Në fjalimin e vet, drejtori i Muzeut Arkeologjik Nacional i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Goran Sanev, nënvizoi se interesimi për Trebenishtën me siguri nuk do të përfundojë me ekspozitën tonë, e as punimet e shkruara shkencore në katalogun që e përcjell këtë ngjarje nuk janë fjalët e fundit që arkeologjia do t’i thotë për këtë lokalitet.

Në hapjen e ekspozitës në lidhje me rëndësinë e saj dhe rëndësinë e bashkëpunimit për përgatitjen e saj morën fjalë edhe ministri i Kulturës i Bullgarisë, Boil Banov, ndihmës-ministrja e Kulturës dhe Informimit të Serbisë, Asja Draça Muntean, drejtoresha e Muzeut Popullor në Beograd, Bojana Boriq Breshkoviq dhe drejtori i Institutit Arkeologjik Nacional dhe Muzeut në Sofje, Hristo Popov.