Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, mori pjesë në hapjen e Edicionit të 14-të të “Roma Truba Fest” në sheshin e qytetit në Kumanovë, duke vënë në dukje se Ministria e Kulturës e mbështet edhe këtë festival, ndërsa për përvjetorin e ardhshëm njoftoi se do të ketë mbështetje edhe më të madhe.

“Kam nderin që sonte ndodhem në këtë festival të mrekullueshëm dyditor, ku marrin pjesë emra të shquar vendorë dhe të huaj. Ministria e Kulturës mbështet shumë festivale dhe ngjarje kulturore në vend dhe e mbështet edhe këtë festival, por meqë në vitin e ardhshëm është përvjetori juaj ne do të bëjmë çmos që mbështetja jonë të jetë edhe më e madhe.

Të gjithë pjesëmarrësve në festival u uroj një shfaqje të suksesshme, ndërsa për kumanovarët dihet se janë organizatorë të mirë dhe duke e parë energjinë e kryetarit të komunës nuk kam asnjë dyshim se ata do të kujdesen që mysafirët të ndjehen si në shtëpi”, theksoi ministri i Kulturës, Ismaili, në fjalimin e tij para mysafirëve të pranishëm.