Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, dje qëndroi në Pogradec, Republika e Shqipërisë ku mbajti fjalim në ngjarjen promovuese që i kushtohet regjistrimit të pjesës shqiptare të Liqenit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s.

Në ngjarjen promovuese të organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë , morrën pjesë  ministrat e Kulturës dhe Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë, Elva Margarita dhe Blendi Klosi, ministri i Mjedisit Jetësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Naser Nuredini dhe Boris Erk nga Trupi Këshillëdhënës i Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s.

Ministri Ismaili në fjalimin e tij para të pranishmëve e theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje për të dyja vendet, që u realizua në kuadër të Sesionit të 43-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s të mbajtur në Baku, Azerbajzhan.

“Zgjerimi i kësaj trashëgimie të përbashkët botërore, ndodh pikërisht pas 40 vitesh, kur në vitin 1979 me vendimin e Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s, Rajoni i Ohrit ishte regjistruar në Listën e Trashëgimisë  Botërore, së pari si trashëgimi natyrore, që në vitin 1980 të bëhet plotësimi me kriteret për trashëgiminë kulturore dhe regjistrimi i saj në kategorinë e të mirave të përziera.

Regjistrimi i plotë i rajonit përgjatë bregut të Liqenit të Ohrit, me zgjerimin nga ana shqiptare e Liqenit, është vetëm edhe një konfirmim i vlerave të shquara universale që ky rajon i posedon dhe si i tillë ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për të dyja vendet tona, por për njerëzimin”, tha Ismaili.

Ai shtoi se gjendja aktuale në të cilën ndodhet trashëgimia natyrore dhe kulturore e Rajonit të Ohrit sugjeron në shfrytëzimin e të gjitha instrumenteve dhe mekanizmave vendore, bilaterale, rajonale dhe ndërkombëtare për mbrojtjen dhe menaxhimin efikas të trashëgimisë natyrore dhe kulturore të këtij rajoni.

Në këtë kontekst, ministri Ismaili tha se kjo është edhe një mundësi për të konfirmuar angazhimin dhe përkushtimin tonë dhe për të shprehur gatishmërinë tonë për një bashkëpunim të mëtejshëm të përbashkët në kuadër të nismës së re që do të orientohet drejt mbrojtjes dhe menaxhimit të suksesshëm me trashëgiminë natyrore dhe kulturore të Rajonit të Ohrit, e cila do të kontribuojë në ruajtjen e statusit si trashëgimi botërore në Listën e UNESKO-s.