Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, në kuadër të vizitës së tij të punës në Stamboll, Republika e Turqisë, sot e vizitoi stendën maqedonase në Panairin e 38-të Ndërkombëtar të Librit, ku në organizimin e komisarit të sivjetëm – Shoqata e Botuesve Shqiptarë nga Shkupi, u mbajt promovimi i letërsisë nga autorët turq të përkthyer nga botuesit e vendit tonë.

Në promovim, para të pranishmëve mbajti fjalim ministri i Kulturës, i cili theksoi se Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në kuadër të Konkursit për Financimin e Projekteve me Interes Nacional në Kulturë, e ka mbështetur pjesëmarrjen në këtë manifestim të rëndësishëm ndërkombëtar për disa vjet.

“Prezantimi i gjithë kësaj pasurie letrare në Panairin e Librit në Stamboll është një mundësi e jashtëzakonshme për tа afirmuar krijimtarinë e vendit tonë, dhe njëkohësisht është edhe një mundësi para publikut turk dhe botëror për t’i paraqitur potencialet dhe arritjet tona letrare dhe kulturore,” nënvizoi ministri Ismaili.

Paraprakisht, ministri Ismaili mori pjesë edhe në prezantimin e krijimtarisë së autorëve të rinj maqedonas Sllavica Gaxhova Sviderska, Petar Andonovski, Frosina Parmakovska dhe Mihajllo Sviderski para lexuesve turq. Evenimenti i organizuar nga Qendra Informative Kulturore e Stambollit ishte në kuadër të projektit “Prezantimi i autorëve maqedonas në Stamboll” i organizuar nga Shtëpia Botuese “Vostok”.

Në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Stamboll, i cili është njëri nga panairet kryesore të librave në botë me mbi një milion vizitorë, vendi ynë përfaqësohet nga botime të rëndësishme letrare nga shtëpitë botuese shqiptare dhe maqedonase.