Në një atmosferë konstruktive dhe miqësore, në margjinat e Forumit të Katërt për Bashkëpunim Kulturor ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, që mbahet sot dhe nesër në Shkup, ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, realizoi dy takime bilaterale – me ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Republikës Popullore të Kinës, Luo Shugang, dhe me ministrin e Kulturës dhe Informimit të Republikës së Serbisë, Vlladan Vukosavljeviq.

Në takimet ishte theksuar organizimi i shkëlqyeshëm i Forumit për Bashkëpunim Kulturor ndërmjet RP të Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, organizator i të cilit është Republika e Maqedonisë së Veriut, në kuadër të të cilit do të zbatohen aktivitetet e shumta në periudhën e ardhshme nëpërmjet të cilave do të përforcohet bashkëpunimi ndërmjet shteteve në nivel bilateral dhe multilateral.

Në takim ishte përshëndetur edhe miratimi i Deklaratës për Bashkëpunimin e Ardhshëm Kulturor të vendeve pjesëmarrëse në Procesin “17 + 1”, i cili përmban edhe Plan për bashkëpunim kulturor për dy vitet e ardhshme (2020 – 2021). Ishin përshëndetur puna dhe angazhimet e Qendrës Koordinuese për Bashkëpunim Kulturor ndërmjet RP të Kinës dhe vendeve të EQL-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe, që nga themelimi i saj në vitin 2018, ka vendosur komunikim me të gjithë partnerët relevantë nga të gjitha vendet që marrin pjesë në Procesin “17 + 1”.

Në takim u bë fjalë edhe mbi mundësinë për lidhjen e Marrëveshjes për hapjen reciproke të qendrave kulturore ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës. Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se me hapjen e qendrave kulturore në të dyja vendet do të hapen mundësitë për promovimin plotësues të kulturës.

Ministri i Kulturës, Ismaili, shtoi se kultura kineze është e pranishme në Republikën e Maqedonisë së Veriut nëpërmjet përmbajtjeve të shumta të realizuara në Institutin “Konfucij” në Këndin Kinez, ndërsa i madh është dhe numri i turneve që janë pritur në mënyrë të shkëlqyeshme nga audienca maqedonase. Gjithashtu, edhe kultura maqedonase përmes shumë aktiviteteve prezantohet rregullisht në Republikën Popullore të Kinës, duke e përfshirë edhe vizitën e paradokohshme të Teatrit Kombëtar të Manastirit, si dhe shumë evenimente të tjera.

Ministrat u shprehën të gatshëm me Programin Ekzekutiv të Bashkëpunimit në fushën e kulturës për periudhën 2018-2023, të nënshkruar gjatë Forumit të Tretë Ministror për Bashkëpunim Kulturor ndërmjet RP të Kinës dhe vendeve të EQL-së në periudhën e ardhshme për t’i thelluar marrëdhëniet në fushën e kulturës ndërmjet të dyja vendeve.

Në takimin ndërmjet ministrit të Kulturës, Ismaili, dhe ministrit të Kulturës dhe Informimit të Republikës së Serbisë, Vukosavljeviq, ishin theksuar marrëdhëniet cilësore në fushën e kulturës, të cilat deri më tani kanë rezultuar me projekte dhe iniciativa të shumta në të gjitha veprimtaritë e kulturës.

Në takim ishte theksuar rëndësia e iniciativës për themelimin e qendrave kulturore në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në Republikën e Serbisë, e cila ekziston për një kohë të gjatë dhe është rezultat i numrit të madh të aktiviteteve të zbatuara në të dyja vendet. U konstatua se me hapjen e qendrave kulturore në Shkup dhe Beograd do të popullarizohen më tej tradita, kultura dhe arti i të dyja vendeve. Ministrat e Kulturës ranë dakord që angazhimi më i madh ishte i nevojshëm nga të dyja palët në realizimin e iniciativës së përgjithshme.

Në takim u bë fjalë edhe për nënshkrimin e programit të ri për bashkëpunim në fushën e kulturës ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Kulturës dhe Informimit të Republikës së Serbisë për periudhën e ardhshme, nëpërmjet të cilit do të hapen mundësi të reja për bashkëpunim ndërinstitucional.

Në kuadër të Forumit të Katërt Ministror për Bashkëpunim Kulturor, gjatë ditës ishte promovuar ueb-platforma për bashkëpunim ndërmjet vendeve të EQL-së dhe RP të Kinës, me qëllim të komunikimit, koordinimit dhe rrjetëzimit me institucionet kulturore, punëtorët kulturorë dhe artistët nga vendet anëtare të platformës “17 + 1”. Në të njëjtën kohë, u prezantua edhe projekti “Kreaton 2019” – platformë për turizëm kulturor.

Në orët e mbrëmjes, pjesëmarrësit në Forumin Ministror do ta vizitojnë Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup, ndërsa do të marrin pjesë edhe në Koncertin Solemn të Orkestrës së Filarmonisë Kombëtare.