Sot, para artdashësve në Qendrën e kulturës „Tajjare” në Bursë të Turqisë me rastin e ditës ndërkombëtare të gruas u hap ekspozita me emrin “Frymëzimet nga Ballkani” të dy piktoreve nga Maqedonia e Veriut, Ismane Mehdi dhe Shqipe Mehmeti.
Artistet shqiptare ekspozuan veprat e tyre, pikturat ekspresioniste dhe grafikët, me çka edhe një herë dëshmuan talentin e tyre në këto stile të artit figurativ duke lënë përshtypje të jashtëzakonshme te vizitorët.

Ekspozitën, bashkë me piktorët e hapën zv. ministrja e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, zonja Ozgul Ozkan Javuz dhe kryetari i Bursës, Alinur Aktas dhe këshilltari shtetëror në Ministrinë e Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Behixhudin Shehapi. Mesazhet nga fjalimet e tyre, bashkë me kryetarin e këtij qyteti të madh e të njohur, ku jetojnë edhe shumë bashkatdhetarë tanë, ishin në drejtim të përforcimit të marrëdhënieve kulturore ndërmjet dy shteteve që kanë rezultuar mjaft pozitivisht deri më tani. Këtë e theksoi edhe zv. ministrja, Javuz e cila i përgëzoi artistet për artin dhe guximin e tyre duke jua uruar 8 Marsin, Ditën ndërkombëtare të gruas.

Ekspozita u organizua me mbështetjen e qytetit të Bursës dhe të Ministrisë së Kulturës së R. Maqedonisë së Veriut.













