Më 3 tetor në Dizhon, Francë, ENCATC – rrjeti udhëheqës evropian i universiteteve për politikat kulturore dhe menaxhim në kulturë, i cili vepron ndërkombëtarisht, në ceremoninë e veçantë solemne e shpalli dr. Biljana Tanurovska – Qullavkovski, fituese në vitin 2019 të çmimit për kërkimet në fushën e politikës kulturore dhe menaxhim në kulturë për distertacionin e saj të doktoraturës ”Teoria e institucioneve dhe politikave kulturore për praktikat bashkëkohore të interpretimit” pranë Universitetit të Arteve në Beograd, Fakulteti i Arteve Dramatike në Serbi.

Kërkimi i saj është vlerësuar si kërkimi më inovativ, por edhe me rëndësi të madhe për edukimin në fushën e politikës kulturore dhe menaxhimit në kulturë, ndërsa kjo do të mund të zbatohet në universitetet në të gjithë botën, por edhe në praktikat kuratoriale dhe menaxhuese në art dhe kulturë.

Në fjalimin e saj, Biljana Tanurovska – Qullavkovski e falënderoi së pari ENCATC 2019 dhe jurinë ndërkombëtare të “Çmimit për kërkimin në fushën e politikës kulturore dhe menaxhimit në kulturë në vitin 2019”, duke shprehur një falënderim të veçantë për mentoren e saj, Milena Dragiçeviq – Sheshiq dhe Ministrinë e Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Audiencës globale të akademikëve kryesorë dhe studiuesve të njohur, krijuesve të politikës, operatorëve të kulturës dhe artistëve iu bashkuan përfaqësuesit e UNESKO-s dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës së Francës.

Juria ndërkombëtare e Çmimit të kërkimit në vitin 2019 përbëhej nga ekspertët nga Italia, Kolumbia, Franca, Finlanda, Tajvani, ShBA-ja.

Përveç Biljana Tanurovska – Qullavkovski, finalistë për mirënjohjen prestigjioze ishin ekspertët për menaxhimin e kulturës dhe kërkimin e politikave nga Zvicra, Finlanda dhe Australia.

E themeluar në vitin 2014, Çmimi ENCATC ekziston me qëllim të stimulimit të kërkimeve akademike në fushën e politikës kulturore dhe menaxhimit që të kërkohen temat bashkëkohore dhe ndoshta të parashikohen orientimet e reja për politikat kulturore përmes kërkimit krahasues dhe ndërkulturor.